Të martën, 8 tetor 2019, në Shkup do të mbahet marsh-protestë për një marrëveshje të re kolektive të punëtorëve të kulturës, njofton Portalb.mk.

Nga Sindikata për Kulturë e Republikës së Maqedonisë (SKRM) thonë se, marshi është paralajmërimi i fundit për grevë.

“U bëjmë thirrje të gjithë të punësuarve në kulturë, punëtorëve kulturorë dhe të tjerëve që të solidarizohen dhe të bashkëngjiten kundrejt kërkesave për rregullimin e marrëdhënieve të punës në kulturë pas plot 14 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së fundit kolektive”, thuhet në njoftimin e marshit-protestë të SKRM-së.

Siç sqarojnë më tej atje, marshi vjen sepse, “kanë kaluar 14 vjet nga marrëveshja e fundit e përgjithshme kolektive në kulturë, pa përcaktim dhe grupim të qartë të vendeve të punës në institucione, pa valorizim të drejtë të punës në të gjitha fushat, pa përcaktimin e saktë të kritereve për siguri dhe shëndet në punë, pa shtesa në paga, mëditje për udhëtime zyrtare”.

Marshi do të fillojë në ora 12:00 në Parkun “Ibni Pajko”, mes Filarmonisë së RMV-së dhe Hamamit të Daut Pashës, dhe do të përfundojë përpara Ministrisë së Kulturës.